Trotuaret dhe rrugët solare mund të jenë një zgjedhje e qëndrueshme dhe praktike për zonat urbane në të ardhmën. Tranzicioni energjetik duhet të fillojë nqa qytetet tona. Trotuaret  dhe rrugët solare  janë vetëm një hapë i vogël drejt një ndryshimi të madhë energjetik.

Inovacioni në industrinë e energjisë diellore po ndodh vazhdimisht. Ndërsa panelet zakonisht instalohen në çati ose në parcela të mëdha toke, disa mendojnë se rrugët, trotuaret, autostradat por edhe hapësirat  tjera urbane janë një vend i përshtatshëm edhe për panelet diellore (fotovoltaike).

Panelet diellore të rrugëve dhe trotuareve janë projektuar për të imituar karakteristikat e asfaltit dhe të pllakave të zakonshme për trotuare, ndërsa në të njëjtën kohë prodhojnë energji elektrike të rinovueshme. Në thelb, në  sipërfaqet  e rrugës dhe trotuareve instalohen panele diellore ose qeliza diellore fotovoltaike.

Energjia elektrike që gjenerohet në këtë formë  mund të përdoret nga shtëpitë dhe objektet e banimit aty pranë, duke ndriçuar rrugët e tyre. Po ashtu, energjia e fituar nga panelet e vendosura në rrugë dhe trotuare mund të përdoret për shkrirjen e rrugëve nga bora gjatë dimrit. Në përgjithësi, energjia elektrike e fituar nga kjo mënyrë mund të gjej përdorim të shumëfishtë në vendbanime dhe qytete.

Instalimet  solare në rrugët dhe trotuaret e qyteteve, janë ndërtuar gjithashtu për të qëndruar për një kohë të gjatë. Ato mund të përballojnë dhe janë mjaft rezistente ndaj çdo lloj moti, janë të qëndrueshme dhe gjithashtu mund të mbajnë shumë peshë. Ato prodhohen në forma dhe ngjyra të ndryshme, në mënyrë që t’i përshtaten arkitekturës dhe estetikës urbane.

Përpjekja e parë për trotuare dhe rrugë solare ishte në fshatin e vogël Tourouvre au Perche në Normandi (Francë) në 2014. Ndërsa, në Holandë u ndërtua shtegu për biçikleta me panele solare. Projekte tjera u zhvilluan edhe në SHBA dhe Kinë. Ndërsa projekti serioz tashmë ka ndodhur në qytetin e Barcelonës (Spanjë) ku është  instaluar trotuari  fotovoltaik  si pjesë e përpjekjes së qytetit për t’u bërë neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050.

 

Instalimi i trotuarit solar në qytetin e Barcelonës

 

Hulumtimet dhe inovacionet për rrugët dhe trotuaret solare-fotovoltaike janë ende duke vazhduar. Derisa kostot e prodhimit për këtë teknologji  të bëhen më të ulëta, tek atëherë  shpresohet që në rrugët dhe trotuaret e vendbanimeve dhe qyteteve të zbatohet ky inovacion i dobishëm.

Aktualisht çmimi i prodhimit, instalimit dhe çështjeve tjera teknike është shumë i shtrenjtë. Panelet diellore janë shumë më të shtrenjta se asfalti dhe pllakat e zakonshme. Prandaj edhe kostot e riparimit janë gjithashtu të larta në krahasim me mbushjen e gropave ose zëvendësimin e pjesëve të rrugës konvencionale.

Mirëpo kjo formë e planifikimt urban me siguri se do të jetë një mënyrë e domosdoshme për të arritur objektivat globale për energji të pastër dhe të përballueshme financiarisht, si dhe për zhvillim të qëndrueshëm dhe modern të qyteteve tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.