Si ta kuptojmë turizmin e qëndrueshëm?

Turizmi i qëndrueshëm i referohet praktikave të qëndrueshme në industrinë e turizmit. Këtë formë të turizmit mund ta kuptojmë si turizëm që merr parasysh ndikimet ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke adresuar nevojat e vizitorëve, industrisë, mjedisit dhe komunitetit pritës. Qëllimi i turizmit të qëndrueshëm është të rrisë përfitimet dhe të reduktojë ndikimet negative të shkaktuara nga turizmi masiv dhe i keqmenaxhuar, si dhe të vendos një ekulibër në mes të dimensionit social, ekonomik dhe mjedisor.

Turizmi i qëndrushëm  arrihet  përmes  mbrojtjes së mjediseve natyrore, jetës së egër dhe burimeve natyrore gjatë aktiviteteve turistike; ofrimin e përvojave autentike turistike që e ruajnë trashëgiminë dhe kulturën; krijimin e përfitimeve socio-ekonomike për komunitetet përmes punësimit dhe mundësive të fitimit të të ardhurave.

Turizmi i qëndrueshëm përkufizohet nga Programi i Mjedisit i OKB-së dhe Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së (UNWTO) si “turizëm që merr parasysh plotësisht ndikimet e tij aktuale dhe të ardhshme ekonomike, sociale dhe mjedisore, duke adresuar nevojat e vizitorëve, industrisë, mjedisit dhe komuniteteve pritëse”.

Si një nga sektorët ekonomikë me rritjen më të shpejtë në botë, turizmi njihet gjithnjë e më shumë si një kontribues jetik në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, dhe zbutjen e varfërisë. Deri në vitin 2030, numri i turistëve që udhëtojnë pritet të shkojë në më shumë se 1.8 miliardë, kështu që është thelbësore kujdesi ndaj mjedisit dhe eko-sistemit.

Nëse nuk menaxhohet mirë, turizmi mund të ketë ndikime negative në komunitetet dhe mjediset lokale, duke krijuar probleme afatgjata për banorët vendas, të cilat në fund mund të qojnë në rënien e turizmit në ato vende.

Turizmi i qëndrueshëm duhet gjithashtu të ruajë një nivel të lartë kënaqësie turistike dhe të sigurojë një përvojë domethënëse për turistët, duke rritur ndërgjegjësimin e tyre për çështjet e qëndrueshmërisë duke promovuar praktikat e turizmit të qëndrueshëm mes tyre. Menaxhimi i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm është i zbatueshëm për të gjitha format e turizmit në të gjitha llojet e destinacioneve, duke përfshirë turizmin masiv dhe segmentet e ndryshme të turizmit.

Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve përkatës në këtë fushë, poashtu shtrohet nevoja e informimit, sensibilizimit dhe fuqizimit për çështjen e turizmit të qëndrueshëm. Si dhe natyrisht lidershipin politik i cili duhet të jetë i vendosur dhe largëpamës në këtë drejtim.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.