Në vendin tonë egzistojnë kushte potenciale për zhvillimin dhe prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Nga energjitë e ripërtëritshme, duhet të përmendet se në Kosovë mund të prodhohet dhe përdoret energjia e përfituar nga uji, dielli dhe era. Ndërsa sa i përket energjisë nga biomasa dhe energjisë gjeotermale pritet që në të ardhmën të bëhen vlerësime në lidhje me përdorimin e tyre.

Sa i përket energjisë së ujit apo hidroenergjisë, Kosova disponon kapacitete dhe potenciale për zhvillimin e energjisë elektrike. Në bazë të studimeve të që janë bërë për burimet e ujit e që ka të bëjë me hidrocentrale të vogla, deri tash janë identifikuar 77 lokacione, me kapacitet prej 128 MW, dhe me prodhim vjetor prej 621 GWh.

Egzistojnë mundësitë për dy lloje të hidrocentraleve, e ato janë: Hidrocentrale rrjedhëse, ku uji vazhdimisht rrjedhë dhe të cilat kanë një rezervuar të ujit të limituar dhe Hidrocentralet akumuluese, me ç’rast shfrytëzohet uji nga liqeni akumulues.

Sa i përket energjisë së erës, edhe për këtë llojë të energjisë së rinovueshme  egzistojnë potenciale premtuese për zhvillimin e saj. Në Kosovë deri tash janë bërë edhe studime apo vlerësime rreth mundësisë së zhvillimit të energjisë së erës. Në vitin 2010, qeveria zvicerane ka financuar vlerësimin e potencialit të energjisë së erës në disa zona të Kosovës.

Ndërsa, kur kemi të bëjmë me energjinë e diellit apo energjinë solare, duhet thënë se Kosova për shkak të pozitës së favorshme gjeografike dhe kushteve klimatike, disponon potencial relativisht të kënaqshëm për zhvillimin dhe prodhimin e energjisë solare.

Deri më tash është konstatuar se energjia diellore mund të shfrytëzohet në masë të konsiderueshme për ngrohjen e ujit sanitar. Ndërsa, tek prodhimi i energjisë fotovoltaike mbetet një opcion i mundshëm vetëm atëherë kur kostoja e saj do të vlerësohet si e përballueshme për tregun vendor.

Energjia e ripërtëritshme edhe pse nuk po gjen përdorim dhe prodhim të mjaftueshëm në Kosovë, ajo mbetet si një opcion i pashmangshëm për investime në të ardhmën. Duke parë trendet e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe çështjet ekologjike të cilat janë prezente në tërësi, vlerësohet dhe pritet, që shumë shpejtë të fillon përdorimi dhe prodhimi i energjisë së rinovueshme në shkallë më të gjërë edhe në vendin tonë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.