Tarifat nxitëse apo tarifat stimuluese (ang.feed in tariff) janë politika ekonomike të krijuara për të nxitur investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Përmes tarifave nxitëse, prodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme kanë garanci që energjia e prodhuar do të ju blehet.

Tarifat nxitëse kanë për qëllim arritjen e një kontrate afatgjate me investitorin, qoftë ai pronar shtëpie apo i ndonjë kapaciteti më të madh prodhues. Praktikat e shteteve evropiane tregojnë se tarifat nxitëse mund të vihen edhe për një periudhë afatgjate deri në 15-25 vite.

Përcaktimi  i tarifave nxitëse është i rëndësishëm për stimulimin dhe tërheqjen e investitorëve, sepse mundëson krijimin e një ambienti të favorshëm  për investime, si dhe është i rëndësishëm në rritjen e kapaciteve për furnizim me energji.

Tarifat nxitëse e favorizojnë prodhuesin e energjisë së rinovueshme duke e përkrahur rreth kostos së prodhimit për një kohë të caktuar, me qëllim që këta prodhues të jenë më konkurrues në treg. Për, investitorët këto mekanizma stimulues janë të mirëpritura për arsye se ato ofrojnë siguri të të ardhurave dhe profit të mundshëm nga shitja e energjisë të cilën e prodhojnë dhe e shesin në treg.

Nga shembujt e shteteve të ndryshme që kanë zbatuar tarifat nxitëse, rezultati ka treguar,  se ato mund të jenë të suksesshsme dhe të rëndësishme sepse mundësojnë zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme, teknologjisë bashkëkohorë të prodhimit, krijimin dhe hapjen e vendeve të punës, si dhe arritjen e objektivave strategjike për prodhim të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Tarifat nxitëse ende nuk kanë në Kosovë ndonjë aplikim të gjërë, dhe vetëm viteve të fundit janë bërë përpjekje për të fuqizuar këtë mekanizëm stimulues të zhvillimit ekonomik për sektorin energjetik. Tarifat nxitëse në vendin tonë filluan të merren më seriozisht, në kohën kur filloji të përafrohej legjislacioni i Kosovës, me atë të Bashkimit Evropian, për të përmbushur mungesën e furnizimit me energji elektrike e cila përndryshe duhet të mbulohet nga importe me çmime të larta të energjisë elektrike dhe gjithashtu me ngritjen e vetëdijes shoqërore për probleme mjedisore dhe ekologjike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.