A mund ta ndryshojë ardhmërinë e automobilave elektrik, karikimi super i shpejtë i baterive? Në fakt karikimi 5-minutësh i baterisë për makinat elektrike mund të bëhët realitet shumë shpejtë.

Kompania e teknologjisë së baterive me bazë në Izrael, e quajtur StoreDot ka zhvilluar baterinë e parë për automobila në botë që mund të karikohet në vetëm pesë minuta. Bateritë me karikim më të shpejtë do t’i bënin automjetet elektrike më funksionale dhe praktike.

Automjetet elektrike po fitojnë popullaritet me shpejtësi, por ende ka të tillë që kanë mëdyshje. Një arsye për këtë është se karikimi i automjeteve elektrike është i ngadalshëm. Ndërsa shoferët sot janë mësuar të mbushin rezervuarin e tyre të benzinës në më pak se pesë minuta.

Veturat elektrike, në varësi të madhësisë dhe specifikimeve të baterisë, zakonisht marrin të paktën 30 minuta për të ngarkuar 80% në stacionet e karikimit. Bateritë e makinave elektrike në treg mund të marrin diku nga 30 minuta deri në 12 orë për t’u ngarkuar, edhe pse një veturë elektrike tipike kërkon rreth 8 orë për t’u mbushur/karikuar.

Bateritë e reja litium-jon janë zhvilluar nga start-up kompania izraelite StoreDot. Kjo kompani njoftoi se mund të prodhojë në masë bateritë e automjeteve elektrike që mund të karikohen në vetëm pesë minuta. Inovatorët dhe prodhuesit e kësaj baterie, thojnë se karikimi pesë minutësh i baterisë së veturës mund të bëjë 160 kilometra distancë. Kompania thotë se bateritë do të jenë gati për prodhim masiv në vitin 2024 dhe se do të jetë në gjendje të prodhojë bateri që mund të arrijnë 160 km distancë në vetëm 3 minuta karikim deri në vitin 2028.

Makinat elektrike mesatarisht rrezen e distancës e kanë rreth 400 km për karikim. Me një bateri që mund të karikohet më shpejt, shoferët e automobilave elektrik nuk do të jenë të kufizuar në distancë dhe kohë, sepse do të mund të udhëtojnë më shpejtë në destinacione më të gjata.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.