Bujqësia në çfarëdo forme përfaqëson një burim të rëndësishëm dhe afatgjatë të ndryshimit të mjedisit. Fillimet e para të bujqësisë supozohet se datojnë rreth 9000 vjet më parë, ku gruri, elbi, dhitë, delet dhe gjedhet janë zbutur, ndërsa dëshmitë më të hershme për përdorimin e kafshëve bartëse dhe e parmendës vjen nga pellgu i Mesdheut.

Fermerët gjithmonë kanë eksperimentuar, ndërsa agroekosistemet dhe agrokulturat që ata bashkëprodhojnë me natyrën mund të konceptohen më së miri si “punë në progress”. Për pjesën më të madhe të historisë së saj 9000-vjeçare, bujqësia ka zgjeruar diversitetin e bimëve dhe kafshëve. Që nga fillimi i shekullit XX-të, megjithatë, industrializimi ka sjellë një transformim të madh të agroekosistemeve dhe praktikave agrokulturore.

 

Ideja dhe kuptimi i agroekologjisë

Termi agroekologji u shfaq për herë të parë në vitin 1928 nga agronomi amerikan Basil Bensin. Kuptimi i tij për agroekologjinë më pas i referohej ekskluzivisht aplikimit të metodave të ekologjisë në proceset e kërkimit agronomik.

Kjo ide u rrit më pastaj gjatë viteve. Në vitet 1990 dhe 2000, agroekologjia u bë shumë më globale. Agro-ekosistemet tani përdoren për të kuptuar dhe përcaktuar të gjithë sistemin e prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të burimeve ushqimore, në të gjitha komponentat.

Krizat e biodiversitetit dhe klimës e kanë sjellë fokusin tek agroekologjia, e cila miraton një qasje më holistike, të bazuar në natyrë për bujqësinë. Të dhënat aktuale tregojnë se bujqësia është përgjegjëse për rreth 20% të gazrave serrë.

Deri në vitin 2050, planetit tonë do t’i duhet të ushqejë afër 10 miliardë njerëz. Është e rëndësishme që të përmirësohen sistemet tona bujqësore dhe ushqimore në mënyrë që të punojmë me natyrën dhe jo kundër natyrës. Ndërsa më shumë njerëz janë të uritur dhe kequshqyerja vazhdon, bota duhet të transformojë mënyrën se si bëjmë bujqësinë për të arritur urinë zero (zero hunger) deri në vitin 2030.

Qasja agroekologjike përfshin një sërë metodash bujqësore, të tilla si diversifikimi i të korrave, kultivimi i tokës, plehrat e gjelbra, plehrat natyrore dhe fiksimi i azotit, kontrolli biologjik i dëmtuesve, vjelja apo grumbullimi e ujit të shiut, si dhe prodhimi i të korrave dhe blegtorisë në mënyra që ruajnë karbonin dhe mbrojnë pyjet.

Agroekologjia është njëkohësisht një shkencë, dhe ka evoluar si koncept gjatë dekadave të fundit. Tashmë ajo përfaqëson një fushë që përfshin dimensionet ekologjike, socio-kulturore, teknologjike, ekonomike dhe politike të sistemeve ushqimore, nga prodhimi në konsum.

Agroekologjia është një qasje gjithëpërfshirëse dhe e integruar që zbaton njëkohësisht konceptet dhe parimet ekologjike e sociale në hartimin dhe menaxhimin e sistemeve të qëndrueshme të bujqësisë dhe ushqimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi  (ang. Food and Agriculture Organization of the United Nations) apo shurtimisht FAO, zhvilloi kornizën që njihet si 10 Elementet e Agroekologjisë për të ndihmuar vendet në nxitjen e ndryshimeve transformuese. Korniza do të shërbej si një proces për të lehtësuar vendimmarrjen nga praktikuesit dhe palët e tjera të interesuara gjatë planifikimit, zbatimit, menaxhimit dhe vlerësimit të tranzicioneve agroekologjike.

 

10 Elementet e Kornizës Agroekologjike

Diversiteti: diversifikimi është çelësi për tranzicionet agroekologjike për të garantuar sigurinë ushqimore dhe ushqimin duke ruajtur, mbrojtur dhe përmirësuar burimet natyrore.

Bashkëkrijimi dhe shkëmbimi i njohurive: risitë bujqësore u përgjigjen më mirë sfidave lokale kur ato bashkë-krijohen përmes proceseve pjesëmarrëse.

Sinergjitë: ndërtimi i sinergjive rrit funksionet kryesore në të gjithë sistemet ushqimore, duke mbështetur prodhimin dhe shërbimet e shumta të ekosistemit.

Efiçenca: praktikat inovative agroekologjike prodhojnë më shumë duke përdorur më pak burime të jashtme.

Riciklimi: më shumë riciklim nënkupton prodhim bujqësor me kosto më të ulëta ekonomike dhe mjedisore

Qëndrushmëria: rritja e elasticitetit të njerëzve, komuniteteve dhe ekosistemeve është çelësi për sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe bujqësisë.

Vlerat njerëzore dhe sociale: mbrojtja dhe përmirësimi i jetesës rurale, barazia dhe mirëqenia sociale është thelbësore për sistemet e qëndrueshme ushqimore dhe bujqësore.

Kultura dhe traditat ushqimore: duke mbështetur dieta të shëndetshme, të larmishme dhe të përshtatshme nga ana kulturore, agroekologjia kontribuon në sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit duke ruajtur shëndetin e ekosistemeve.

Qeverisja e përgjegjshme: ushqimi dhe bujqësia e qëndrueshme kërkon mekanizma qeverisjeje të përgjegjshme dhe efektive në shkallë të ndryshme – nga ato lokale dhe globale.

Ekonomia rrethore dhe solidare: ekonomitë rrethore dhe solidare që rilidhin prodhuesit dhe konsumatorët ofrojnë zgjidhje novatore për të jetuar brenda kufijve tanë planetarë, ndërkohë që sigurojnë bazën sociale për zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.